Nga Armand Kullau
Në 27 qershor 2022, Ministria e Shëndetësisë shpalli fituesit e Marrëveshjeve Kuadër me vlerë mbi 42 milionë euro, por nuk shpërndau asnjë fond për ilaçin “L-Asparaginase” që kurohen fëmijët me sëmundje tumoriale. Mbi 50 tendera u fituan pa garë nga kompanitë farmaceutike dhe minimalisht 10 të tjerë kanë patur gara me kompani që merrnin pjesë, por nuk bënin oferta për të fituar fondin.
Njerëzit mund të presin për të mbaruar punë tek posta, tek bashkia, tek Gjykata, por vonesat te spitali që trajton të sëmurët me kancer vendos në rrezik jetën e pacientëve.
Verën e kaluar radhët e gjata krijoheshin tek spitali i Onkologjikut ku pacientët bashkë me familjarët e tyre, prisnin nën temperaturat e nxehta për tu futur në godinën e vogël.
“Kam brenda mamanë, ka 2-3 orë që pret të marrë shërbimin”, thotë Miriami, djali i pacientes, i cili nuk prononcohet me emrin e vet sepse i druhet reagimit të institucioneve. Ai shtoi se pritjet me orar të gjatë janë të zakonshme.
Paralelisht me dramën e pacientëve që u vonohej shërbimi për sëmundjen e kancerit, në anën tjetër të kryeqytetit në zonën “21 Dhjetori” zhvillohej gara për fondet publikenga Ministria e Shëndetësisë dhe Punëve Sociale, nën drejtimin e Ogerta Manastirliut.
Data 27 qershor 2022 ka hyrë në rekordet e qeverisë shqiptare jo vetëm për shifrat dhe Marrëveshje Kuadër me vetëm një garues, por për faktin se zyrtarisht janë braktisur të sëmurët me kancer, fëmijë tek Pediatria e QSUNT-së. Ministria e Shëndetësisë shpërndau 42 milionë euro për kompanitë e farmaceutikës nëpërmjet prokurimeve publike brenda 24 orëve, por në këtë listë nuk gjendet ilaçi “L-Asparaginase”për fëmijët.
Marrëveshje Kuadër është një marrëveshje ndërmjet një ose më shumë kompanive me institucionin publik, qëllimi i së cilës është të vendosë kushtet e kontratave, që do të shërbehen gjatë një periudhe kohore me çmim të përcaktuar, aty ku është e përshtatshme, me sasitë e parashikuara ose të kërkuara nga spitalet.
Me këto marrëveshje Ministria e Shëndetësisë zmadhoi numrin e lartë të tenderave me flamur të kuq pasi shpalli fitues mbi 50 tendera pa garë dhe mbi 10 të tjerë me konkurrentë që tërhiqeshin nga gara ose merrnin pjesë dhe nuk bënin ofertë. Flamuri i kuq është një shenjë e vendosur automatikisht nga Open Data Albania kur ka dyshime për favorizim kompanish ose shkelje procedurash në garën për fondet publike.
Grafiku 1( Marrëveshje Kuadër me vetëm një garues, i cili ka fituarfondin në 27 qershor 2022 )
Burimi: Open Data Albania
Mungesa e ilaçeve është faktuar nga aktivisti dhe avokati Adriatik Lapaj, i cili disa javë përpara këtyre tenderave deklaroi në media se mungonin ilaçet për kancerin.
“Në atë periudhë ka munguar medikamenti Herceptinë, Metrotroxhate në Pavionin e Onkohematologjisë dhe tek Pediatria ka munguar L-Asparaginase, Mabthera, Velcade, Nepogen, Endoxan. Gjithashtu ka pas munguar shumë mjekimi per personat me hemofili. Konkretisht faktoret VIII dhe IX.”, tha së fundmi avokati për “Fax News” duke specifikuar barnat mjekësore.
Midis ilaçeve që zbulon avokati Lapaj gjenden barnat për trajtimin e grave me kancer në gji dhe fëmijët me kancer.
Aktivisti tha se nëpërmjet gjyqeve që ka fituar bashkë me koleget Oliana Ajazi Andoni dhe Andi Muratej, furnizimi me këto medikamente është rritur deri në 80%.
Por Avokati tha se për momentin mungon “L-Asparaginase”, e cila përdoret nga fëmijët e sëmurë me kancer. Ne kontaktuam ekspertin e shëndetit publik, Dr. Erion Dasho dhe e pyetëm për pasojat tek shëndeti i pacientit kur ka mungesa dhe vonesa për këto shërbime.
Doktori tha se vonesat janë penalizues direkte për jetën e pacientit duke e vendosur në rrezik jetën e pacientit.
“Sa më herë të kapet tumori, aq më të larta janë shanset për të shpëtuar jetën, për të rritur jetëgjatësinë ose për të përmirësuar cilësinë e jetesës.
Në rast se ka vonesa në trajtim, kuptohet mundësia për të shëruar pacientin ulet ndjeshëm dhe po kështu ulet mundësia për të zgjatur jetën e pacientit ose përmirësuar cilësinë e saj”, tha eksperti i shëndetit publik.
Për të kuptuar mënyrën se si janë shpërndarë këto fonde publike nga Ministria e Shëndetësisë, ne kontaktuam ekspertin e ekonomisë Pano Soko. Ne e pyetëm për rreziqet që i kanosen buxhetit të shtetit kur kompanitë fitojnë shumicën e garave pa patur konkurrentë.
“Duke shmangur garën, ti shmang mundësinë që ka buxheti i shtetit, e para që ti referohet kostove të vërteta të tregut dhe e dyta që të përfitojë sa më shumë nga ulja e çmimit që do të sillte gara. Ne të dyja këto ia kemi hequr mundësitë duke e lënë të ekspozuar në dy drejtime”, tha eksperti për “Fax News”.
Sipas Sokos, dëmi më i madh vjen tek e para, pasi në shumë raste është vërtetuar që llogaritja e fondit limit nuk është bërë mbi referencat reale të tregut, çka do të thotë që përllogaritja e fondit limit është bërë në mënyrë fiktive.
Eksperti shtoi se mungesa e saktësisë dhe tenderi pa garë sjellin kompani me oferta sa 99% e fondit limit ose më shumë, e cila faktohet dhe nga raporti 2022 i Agjencisë së Prokurimit Publik.
Figura 1.Tenderat e kufizuar mbi kufirin e lartë monetar edhe për Rindërtimin, tenderat e kufizuar për Rindërtimin me ofertë fituese 99,8 %
Burimi: Agjencia e Prokurimit Publik
Raporti i APP-së zbulon se nga 180 milionë euro për tendera me vlerë të lartë dhe për Rindërtimin janë kursyer vetëm 2 milionë euro.
Eksperti i ekonomisë deklaroi se këto janë praktika, të cilat normalisht nuk duhet të funksionojnë, nuk duhet të ecin përpara.
“Janë pikërisht këto praktika ato që duhet të jenë subjekt i kontrollit të organeve ligjzbatuese, duke filluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit apo Prokuroria e për të shkuar tek Gjykata pasi korrodimi që vjen për shkak të këtyre praktikave është shumë i madh.
Korrodohet buxhetit i shtetit në këtë formë, humbasin para nga buxheti i shtetit”, tha eksperti duke ngritur alarmin për fondet publike që ushqehen nga xhepat e familjes shqiptare.
Rezerva për mënyrën se si organizohen tenderat pati edhe nga eksperti i shëndetit publik Erion Dasho, i cili tha se tenderimet në një dorë nga Ministria e Shëndetësisë mund të mos jenë praktika më e mirë.
“Ministria dhe qeveria flasin për autonomi të spitaleve ndërkohë që vazhdon me blerjet e centralizuara, një praktikë që shkon në drejtim të kundërt me autonominë”, tha doktori Erion Dasho.
Raporti i APP-së evidenton se qeveria shqiptare zmadhoi me 12 miliardë lekë ose 110 milionë euro fondet për Marrëveshjet Kuadër. Nga këto fonde, mbi 42 milionë euro u shpërndanë brenda 24-orëve nga Ministria e Shëndetësisë.
Figura 2. Zmadhimi i Marrëveshjeve Kuadër me 12 miliardë lekë ose 110 milionë euro
Burimi: Agjencia e Prokurimit Publik
Disa nga kompanitë kryesore që kanë përfituar tenderat janë “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” & “Messer Albagaz” shpk, “Megapharma”, “Rejsi Farma”, “Delta Pharma”, “Trimed” shpk, “Evita” shpk, “Aldosch-Farma” shpk, “LEKLI” shpk, “Edna-Farma”, “MEDICAMENTA” shpk, “Farma Net Albania”, “Albanian New Farm” shpk, “Delta Pharma Al” shpk dhe “FUFARMA SHA”.
Megjithatë vlera më e madhe tenderave nga këto kompani është përfituar duke marrë pjesë në tender si bashkim kompanish, të cilat janë shpallur fituese për Marrëveshje Kuadër me vlerë 1,2 miliardë lekë ose 10,8 milionë euro pa patur konkurrentë.
Ne kontaktuam zyrën e shtypit të QSUNT-së për mungesën e këtij ilaçi, por zëdhënësja na sugjeroi të bënim një kërkesë zyrtare për institucionin dhe të prisnim për përgjigjen. Njëkohësisht kontaktuam dhe Ministrinë e Shëndetësisë për mungesat dhe çështjen e tenderave që nuk prokurojnë këto ilaçe.
Deri në publikimin e këtij shkrimi asnjë nga institucionet nuk iu përgjigj kërkesës tonë për koment./ Lajmi është marrë nga Fax Web
Figura 3. Marrëveshje Kuadër të fituara në 27 qershor 2022 si grup kompanish vetëm me një garues