Nga Armand Kullau
Në tetor të vitit të kaluar, kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, dhe kryeministri Edi Rama do të merrnin pjesë në ceremoninë për shpalljen e projektit fitues për ndërtimin e kullës më të lartë në Shqipëri, “Tirana Multifunctional Center”. Arkitekti, Stefano Boeri, do të shpallte fituese studion “Segra” me projektin “Mount Tirana” ose shqip “Mali i Tiranës”.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe biznesmeni Agim Zeqo, ekzaltimi i të cilit, në pamje të parë, ishte i pakuptueshëm pasi nuk kishte asnjë lidhje me projektin, të paktën deri në shpalljen e lejes së ndërtimit nga KKRT-ja.
Disa muaj më pas, në mbledhjen e radhës të KKRT-së, në 8 mars, kryeministri Rama do të miratonte lejen e ndërtimit për godinën më të lartë në vend, “Mali i Tiranës”.
Kompania fituese “Nova Construction 2012”, është në pronësi të vëllezërve Kujtim dhe Ilir Shtufi. Këta të fundit rezultojnë ortakë në disa biznese me Agim Zeqon, çfarë bëri të kuptueshëm atë gëzim të biznesmenit në rastin e dhënies së projektit.
Por ajo çfarë e bën shumë interesante dhe që ka sjellë në qendër të vëmendjes lidhjet financiare të “Malit të Tiranës” është emri në hije i biznesmenit Gerian Kuka, i cili është nën hetim nga SPAK tek dosja e inceneratorëve. Kuka rezulton ortak me Ilir Shtufin dhe Agim Zeqon tek kompania “Investment and Development Albania” (IDA) shpk, nëpërmjet së cilës janë shpallur investitorë strategjikë nga qeveria Rama për realizimin e projektit “Green House Korça Resort”.
Por kush është biznesmeni Gerian Kuka dhe çfarë e lidh me Ahmetajn dhe Zoton?
Gerian Kuka, i cili ka shërbyer më parë si konsull nderi i Shqipërisë për El Salvador, shtet në Amerikën Qendrore, përmendet për herë të parë nga SPAK në çështjen e inceneratorëve, pasi ka lidhje të hershme me ish zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Sipas dokumentave hetimore nga SPAK, të siguruara nga “Barrikada.net”, Kuka është marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme pasi dyshohet se ka mbuluar transaksionet financiare të ish deputetit socialist Ahmetaj. Po ashtu, hetimet vazhdojnë edhe për tenderat që ka përfituar nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, së bashku me Klodian Zoton. Sipas dokumentave nga SPAK rezulton se Gerian Kuka ka përfituar tenderin e OSHEE-së për sahatet elektrikë. Përballë prokurorëve, Kuka ka deklaruar se e njeh prej vitesh Arben Ahmetaj për shkak të lokalit që ka përballë Parlamentit Shqiptar.
Por ajo që ka shtyrë më shumë këtë hetim është fakti se, Kuka ka patur transaksione financiare nëpërmjet kompanisë së tij, “A.E Distribution” shpk, me kompaninë e inceneratorit të Fierit, “Integrated Technology Services” shpk, me vlerë 5 milionë euro, në pronësi të Klodian Zotos dhe ky në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare.
“Shtetasi Gerian Kuka, është ortak në shoqërinë “A.E. Distribution” shpk. Në fakt nga hetimi kanë rezultuar marrëdhënie tregtare të shoqërisë “A.E. Distribution” shpk me shoqërinë “Integrated Technology Service” shpk. Kështu pranë shoqërisë “A.E. Distribution” shpk, janë administruar tetë (8) fatura tatimore shitje të periudhës 14.04.2017 deri më 17.03.2018 por edhe ditari i furnitorit ku shfaqet se shoqëria Integrated Technology Service shpk, në periudhën 14.04.2017 deri më 03.05.2018, ku ai i ka paguar shoqërisë “A.E. Distribution” shpk shumën prej 530 021 133.39 lekë”, shkruhet në relacionin e përpiluar nga SPAK.
Udhëtimet e dokumentuara nga SPAK
Në 24 prill 2019, ish zv.kryeministri Arben Ahmetaj kthehet nga dogana e Murriqanit bashkë me biznesmenin Agim Zeqon dhe Gerian Kukën në të njëjtën makinë, e cila drejtohej nga ky i fundit. Provat për këtë udhëtim zbulohen nga hetimet që Prokuroria e Posaçme ka bërë për çështjen e inceneratorëve. SPAK evidenton se makina që udhëtojnë këta shtetas është blerë në 2017 nga Gerian Kuka dhe në 2021 i ka kaluar në pronësi kompanisë “Ferro Beton & Construction CO” , në pronësi të Ilir Shtufit dhe Mark Lulit.
Në këtë periudhë ish deputeti socialist, Arben Ahmetaj, ka qenë në pozicionin e Kryetarit të Komisionit të Ekonomisë. Ky Komision ka nën përgjegjësi politikat ekonomike, Buxhetin e Shtetit, mbikëqyrjen e zbatimit të tij dhe midis fushave të ndryshme janë edhe privatizimet.
Një ditë pas kthimit në Shqipëri me ish deputetin Ahmetaj, biznesmenët Agim Zeqo dhe Gerian Kuka themelojnë me Ilir Shtufin kompaninë “Investment and Development Albania” shpk, e cila në muajin shkurt të këtij viti do t’i miratohej statusi investitor strategjik nga qeveria shqiptare.
Megjithatë nga veprimet e kësaj kompanie rezulton se në janar 2022 janë transferuar 400 mijë euro drejt një kompanie të re “ETOILES INVESTISSEMENT ” shpk me status miks të huaj dhe shqiptare, e cila ka si veprimtari ndërtimin e hoteleve me 5 yje, kazino etj.
Kjo kompani është themeluar në 2021 nga shtetasi francez, Richard Jerome Lucien Maria, me kapital 100 lekë dhe pas disa muajsh 65% e aksioneve të kësaj kompanie janë blerë nëpëmjet kompanisë që ka statusin investitor strategjik “IDA” shpk.
Bie në sy fakti se deri në publikimin e këtij shkrimi, kompania e re nuk ka deklaruar bilancet financiare për vitin 2022 tek Qendra Kombëtare e Biznesit, veprim ligjor i detyrueshëm për të gjitha kompanitë brenda 31 korrikut.
Raportet e auditimit të kompanisë që do ndërtojë kullën zbulojnë probleme me transparencën
Tymnaja që ka krijuar projekti për ndërtimin e kullës më të lartë në Tiranë ka ardhur pas protestave të organizuara nga “Lëvizja Bashkë”, e cila kanë denoncuar ndërtimin e saj mbi lulishten e Ajdin Sejdisë. Një nga aktivistët e saj, Arlind Qorri ka akuzuar opozitën se po hesht për shkak të interesave të përbashkëta me kryeministrin Edi Rama.
Përveç kryeministrit Edi Rama, në sfondin mediatik në qendër të këtyre akuzave për “interesa të përbashkëta” të opozitës me pushtetin është vendosur edhe djali i ish-kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha, i cili ka mohuar lidhjet financiare me kullën që do ndërtohet mbrapa Teatrit të Operas dhe Baletit.
Ai ka deklaruar se e vetmja gjë që e lidh me ndërtuesit e kullës “Mali i Tiranës” ka të bëjë me vilën që ka marrë me qira në rezidencën Rolling Hills prej këtyre të fundit.
Të premten e kaluar, kryeministri Edi Rama deklaroi se projekti i kullës lidhet me detyrën dhe pasionin e tij për transformimin e Shqipërisë duke “sulmuar” protestën e “Lëvizjes Bashkë” dhe veprimin e Partisë Demokratike që drejtohet nga Lulzim Basha. Disa ditë më parë, Partia Demokratike e Bashës, nëpërmjet anëtares së këshillit në Bashkinë Tiranë, znj. Enriketa Papa, ka bërë padi në SPAK për kullën.
Basha ka lëshuar akuza për pastrim parash përmes ndërtimit të kullës me bilance të padeklaruara dhe të falsifikuara, por kryeministri Rama u përpoq ta zvogëlojë rolin e padisë zyrtare nga Partia Demokratike.
“U ngrit rrufe edhe padia e radhës për SPAK-un, e cila tanimë është bërë patatja dhe gjella e çdokujt që ka një gur për të hedhur, një dorë për të fshehur a një kunjë për të nxjerrë, duke e detyruar organin më të fuqishëm të akuzës në vend, që për shkak të një legjislacioni të mbingarkuar mbi shpinën e tij, të merret edhe me letrën e fundit anonime, ndërkohë që i ka duart e zëna seriozisht me patate gjithnjë e më të nxehta të korrupsionit dhe krimit të organizuar”, do të shkruante Rama.
Por çfarë thotë Qendra Kombëtare e Biznesit për kompaninë “NOVA Construction 2012?
Informacionet nga Qendra Kombëtare e Biznesit zbulojnë se kompania ka mungesë informacioni për veprimet financiare sipas raporteve të auditimit. Në fakt, raporti i fundit për 2021 i përpiluar nga audituesi i pavarur, Mihal Kolani për llogari të “NOVA Construction 2012” ka evidentuar mungesën e informacionit për transaksionet financiare. Audituesi Kolani deklaron se nuk është dhënë asnjë informacion mbi veprimet financiare të “Nova Construction 2012” me kompanitë apo subjektet e lidhura me vet kompaninë.
“Shoqëria duhet të paraqesë në pasqyrat financiare informacione mbi palët e lidhura ashtu sic parashikohet në SKK 2. Megjithatë, shoqëria nuk ka paraqitur asnjë informacion mbi transaksionet me palët e lidhura në shënimet shpjeguese të pasqyrave financiare”, shkruhet tek raporti i auditimit.
E njëjta problematikë zbulohet edhe për vitin 2017 dhe 2018 nga audituesi i pavarur, Sokol Toska, i cili në të dy raportet e auditimit ka deklaruar se kompanisë “NOVA Construction 2012” i mungojnë informacionet për transaksionet financiare me palët e lidhura me vet kompaninë.
Në raportin e 2013 dhe 2015 të “NOVA Construction 2012” pasqyrohet dhe lista e kompanive furnitore, ku ndër to gjenden kompani të përfshira në skemën e mashtrimit me TVSH, e cila është denoncuar asokohe nga Lëvizja Socialiste për Integrim, sot Partia e Lirisë. Në listë janë kompanitë “KOLECI 2003” shpk, “FRANGAJ INTERNATIONAL”, “FRANGAJ KONSTRUKSION”, “ELVIS – 03” shpk dhe “SOPOTIA” (ish “XH-Y” shpk).
* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Barrikada.net” sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Barrikada.net” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.*