Nga Armand Kullau
Kompania “GJERGJI-IMPEX” është pa licencë për mbrojtjen biologjike të pyjeve, por ka 4 vite rresht që merr tenderat nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për mbrojtjen e pyjeve të gështenjës në qarkun e Shkodrës nga grerëza aziatike.
Prej vitit 2019, pyjet e gështenjave në Reç të Malësisë së Madhe janë goditur nga insekti parazitar, grerëza aziatike (Dryocosmus Kuriphilus Yasumatsu), e cila ul masivisht prodhimin dhe dëmton rëndë trungun e pemës deri në zhdukje.
Sipas ekspertit të mbrojtjes biologjike të pyjeve, Ramiz Metaliaj, përdorimi i lëndëve kimike ose insekticidive janë të ndaluara në masivet e gështenjave.
“Nuk funksionojnë insekticidet kundra grerëzës aziatike, por ka vetëm një mënyrë dhe ajo është lufta biologjike me një insekt që paraziton grerëzën aziatike. Ky insekt është grerëza japoneze “Torymus Sinensis Kamijo”, tha për “Barrikada.net” entomologu Metaliaj.
Të shqetësuar, fermerët e zonës kërkuan ndihmën e qeverisë, e cila në vitin 2020 nëpërmjet VKM nr.373, datë 6.5.2020 miratoi një fond të veçantë për Ministrinë e Bujqësisë për të luftuar insektin parazitar me anë të luftës biologjike.
Tendera fiktiv dhe pa garë
Disa ditë pas vendimit të qeverisë shqiptare, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, nën drejtimin e Bledar Çuçit hapi thirrjen për tenderin me procedurë të kufizuar për të luftuar grerëzën aziatike.
Në dokumentat publike rezulton se shpallja e fituesit për lidhjen e kontratës për këtë tender nuk gjendet në buletinet e Agjencisë së Prokurimit Publik. Nga burime të rezervuara për “Barrikada.net” mësuam se në Shqipëri nuk ka asnjë kompani të licencuar në mbrojtjen biologjike të pyjeve. Gjithashtu rezulton se kompania “GJERGJI-IMPEX” në pronësi të Sokol Zhujës nuk ka licencë për mbrojtjen biologjike të pyjeve, detyra për të cilën është paguar 4 vite rresht nga Ministria e Bujqësisë.
Por ky fakt nuk e ka penguar këtë kompani të fitojë tenderin e 2021 me garë fiktive ku kompanitë që kanë marrë pjesë në garë, dy prej tyre nuk kanë bërë ofertë. Kompania e tretë ka ofruar luftë me kimikate për mposhtjen e insektit parazitar, në një kohë që tenderi e ka kusht specifik luftën biologjike me anë të një insekti tjetër dhe përjashton alternativat me lëndë kimike. Gjatë kësaj kohe, Ministria e Bujqësisë drejtohej nga Milva Ekonomi, e cila në shtator 2021 u pasua nga Ministrja aktuale, Frida Krifca.
Edhe në vitin 2022 dhe në 2023, kompania “GJERGJI-IMPEX” garon e vetme në të dy tenderat dhe shpallet automatikisht fituese pa licencë për mbrojtjen biologjike nën drejtimin e institucionit nga Ministrja Krifca.
Në total, “GJERGJI-IMPEX” shpk ka fituar 1.2 milionë euro nga prokurimet me Ministrinë e Bujqësisë.
Sipas pedagogut të mbrojtjes biologjike të pyjeve Metaliaj, metoda biologjike kërkon ekspertë të fushës.
“Është metodë delikate për tu zbatuar. Kjo metodë kërkon njerëz të specializuar që të merren me to sepse janë insekte shumë të vogla. Duhen laboratorë për mbarështimin e insektit, për ushqimin e tij, për përgatitjen dhe për tu hedhur në terren”, deklaroi pedagogu Metaliaj.
Për “Barrikada.net”, eksperti Metaliaj thotë se përpara se të hidhet në terren ky insekt laboratori, duhet një studim i mirëfilltë i terrenit, sasitë e parazitit që dëmton pemët dhe në çfarë stadi është popullata e parazitit.
Ministria dhe kompanitë fshehin laboratorin
Për të zbuluar më shumë, “Barrikada.net” i bëri një kërkesë për informacion Ministrisë së Bujqësisë për Dokumentat Standarte të tenderave për vitin 2021, 2022 dhe 2023 për luftën ndaj grerëzës aziatike. Ministria refuzoi të jepte informacionin publik duke shkelur ligjin për të Drejtën e Informimit, por “Barrikada.net” bëri ankesë pranë Komisionerit, i cili i ka kërkuar Ministrisë të na japë informacionin publik.
Ne iu drejtuam për koment Ministrisë së Bujqësisë se si kishte arritur të shpallte fituese 4 vite rresht një kompani që nuk ka licencë për mbrojtjen biologjike të pyjeve, e cila nuk ka eksperiencë dhe ekspertë të fushës, por institucioni nuk bëri asnjë koment.
Në tenderin e 2020 shkruhet se Ministria e Turizmit dhe Mjedisit është e përfshirë në monitorimin dhe zbatimin e kontratës nga kompania “GJERGJI-IMPEX”. Ne kontaktuam Ministrinë e Mjedisit për monitorimin e kontratës gjatë zbatimit, por institucioni përsëriti vendimin e 2020 nga qeveria, duke ia kaluar përgjegjësinë e kontratës Ministrisë së Bujqësisë.
Para dy muajsh, gjatë vizitës në Reç të Malësisë së Madhe për problemin e gështenjave, ministrja Frida Krifca foli për parametrat e laboratorit nga kanë ardhur insektet laboratorike për luftën ndaj parazitit.
“Kjo metodë e certifikuar nga Bashkimi Europian siguron ruajtjen dhe mirëmbajtjen pa pasur nevojën e përdorimit të kimikateve duke garantuar cilësinë e këtij produkti shumë të kërkuar në tregun vendas dhe ndërkombëtar”, tha Ministrja Krifca përballë fermerëve në Reç të Malësisë së Madhe.
Interesimit tonë për të mësuar se kush ishte laboratori që i referohej ministrja Krifca, institucioni nuk iu përgjigj kërkesës për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.
Ne kontaktuam në linjë telefonike pronarin e kompanisë, Sokol Zhuja. Pyetjes se si i kishte fituar tenderat kompania e tij kur nuk ishte i licencuar për mbrojtjen biologjike të pyjeve, për “Barrikada.net”, Z. Zhuja tha se merrej me eksportin e gështenjave.
Ai deklaroi se insekti biologjik është marrë nga një laborator italian, të certifikuar nga Bashkimi Europian. Kur e pyetëm për ekspertët që mbikqyrën procesin, Sokol Zhuja u shpreh se kishte marrë ekspertë italianë.
“Insekti biologjik është hedhur tek gështenjat, e kam mbikqyrur vetë procesin. Ne jetojmë me këtë biznes dhe nëse ky proces nuk është bërë në mënyrën e duhur, unë mbaj përgjegjësi të plotë”, tha Zhuja për “Barrikada.net”.
Kur e pyetëm se në cilin laborator të certifikuar nga Bashkimi Europian e kishte marrë insektin për luftën biologjike dhe emrat e ekspertëve italianë, Z.Zhuja refuzoi të jepte emrin e laboratorit dhe të ekspertëve.
“E keni çdo gjë në Dogana, të regjistruar dhe të certifikuar”, përfundoi Zhuja për “Barrikada.net”.
Ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Doganave për importin e grerëzës japoneze “Torymus Sinensis Kamijo” për periudhën 2021-2023, por Doganat deklaruan se ky insekt me këtë emër nuk është importuar në vendin tonë nga asnjë subjekt dhe nuk është i regjistruar në nomenklaturën e mallrave. Mbrojtja e gështenjës nga insektet është direktivë e Komunitetit Europian që detyron çdo vend të marrë masat mbrojtëse sipas standarteve të vendosura nga Bashkimi Europian.
Masat dhe protesta e fermerëve të Tropojës
Prej vitit 2021, grerëza aziatike është përhapur masivisht në Tropojë, ku është masivi më i madh i gështenjave në Ballkan me sipërfaqe 2800 ha.
Shpend Nikoçi, kryetar i shoqatës së gështenjave deklaron se ata kanë bërë protestë për të marrë ndihmë nga qeveria, por kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët.
“Sapo u shfaq grerëza aziatike mbi gështenjat tona, fermerët u shqetësuan dhe kërkuan informacion për këtë sëmundje nga institucionet, ku duhet theksuar se nuk gjetën asnjë informacion”, tha Nikoçi për “Barrikada.net”.
Kryetar i shoqatës së gështenjave u shpreh se grerëza aziatike ul prodhimin e gështenjave nga 70-80% dhe mungesa e prodhimit ka efekt të menjëhershëm tek jeta sociale e banorëve të zonës. Nikoçi thekson se masivi i gështenjave është i paregjistruar nga shteti shqiptar duke e nxjerrë jashtë loje nga subvencionet.
“Është i vetmi masiv që nuk përfiton asnjë subvencion nga shteti ndërkohë që tregtarët, grumbulluesit e gështenjës subvencionohen nga shteti, nga AZHBR. Janë rreth 3000 familje që mbahen nga këto gështenja, dërgojnë fëmijët në shkollë dhe sigurojnë jetesën”, përfundoi Nikoci duke shpjeguar rëndësinë e kësaj peme.
Sipas ekspertit Metaliaj, Universiteti Bujqësor i ka mundësitë për tu zgjeruar në fushën e mbrojtjes biologjike të pyjeve dhe për këtë qellim nga viti 2016 është ndërtuar një laborator që i destinohet posaçrisht kontrollit biologjik të pyjeve.
“Këtu janë të gjtha mundësitë për të aplikuar kontrollin biologjik të grerëzës së gështenjës, aq më tepër që grerëza nuk kërkon aq studim sac kërkon rasti i grabitqarit të pishës”, tha pedagogu Metaliaj.
Sipas entomologut Metaliaj, nga viti 2016 e deri më sot nuk ka patur asnjë angazhim nga Ministria e Bujqësisë, nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit apo nga autoritetet e bujqësorit për ta vënë në shërbim këtë laborator për problemin e grerëzës aziatike.
“Në momentin që ky insekt godet pyjet e gështenjës, prodhimi nuk arrin më kulmin 100% të prodhimit. Me luftën biologjike nëse është e suksesshme, prodhimi do i afrohet prodhimit të dikurshëm, por asnjëherë tek 100%. Deklarata e ministres së prodhimi është shumëfishuar nuk korrenspondon me studimet në këtë fushë”, tha Metaliaj, ndër të vetmit ekspertë në luftën biologjike për mbrojtjen e pyjeve në Shqipëri.
Në raportin e 2022 nga INSTAT, prodhimi i gështenjave të egra ka rënë me 25% në krahasim me vitin 2021, shifra të cilat zbulojnë dëmet e para që ka shkaktuar insekti parazitar bashkë me përgjumjen e institucioneve publike.
Për “Barrikada.net”, pedagogu Metaliaj tha se ka evidentuar vatra të reja në Elbasan dhe në Malësinë e Tiranës, duke ilustruar rreziqet që i kanosen pyjeve të gështenjave dhe fermerëve në këtë fushë.
* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Barrikada.net” sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Barrikada.net” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.*