Nga Armand Kullau
Mbrëmjen e 24 prillit 2019, tre persona po ktheheshin nga dogana e Murriqanit në të njëjtën makinë. Njëri prej tyre ishte ish zv.kryeministri shqiptar Arben Ahmetaj, ndërsa dy të tjerët ishin biznesmenë, përfitues të tenderave dhe statusit investitor strategjik nga qeveria shqiptare. Të dy emrat janë sot nën hetim nga SPAK.
Sipas burimeve të siguruara nga hetimet, bëhet fjalë për një makinë që drejtohej nga ish konsulli i nderit për Salvadorin, biznesmeni Gerian Kuka, bashkë me ortakun e tij Agim Zeqon dhe ish zëvendëskryeministrin Ahmetaj. Një ditë më pas, Agim Zeqo dhe Gerian Kuka do të themelonin me Ilir Shtufin kompaninë “INVESTMENT and DEVELOPMENT ALBANIA” shpk, e cila do të përfitonte statusin investitor strategjik nga qeveria shqiptare.
Hetimi që ka përfshirë edhe denoncimin e bërë nga Partia Demokratike, zbulon lidhje të tjera të Gerian Kukës me Ilir Shtufin dhe ish zv.kryeministrin Ahmetaj nëpërmjet tenderave të Rindërtimit, njësi që drejtohej pikërisht nga Arben Ahmetaj.
Ilir Shtufi, nyja gordiane
Ashtu si katastrofa mjedisore e plehrave, katastrofa natyrore do t’i hapte rrugën fondit më të madh të lëvruar në historinë e shtetit shqiptar me vlerë 1,1 miliard euro për rindërtimin e godinave dhe infrastrukturës për njerëzit e prekur nga tërmeti.
Paralelisht me planet për fondet e Rindërtimit, nga mesi i dhjetorit 2019, babai i deputetit aktual të Partisë Demokratike, Bledjon Nallbati, Tomor Nallbati kishte ardhur në Tiranë për të blerë 30% të aksioneve nga kompania “SUN BEAT SYSTEM” shpk, prej biznesmenit Ilir Shtufi.
Bledjon Nallbati ka shërbyer më parë si kryetar bashkie i Partisë Demokratike në Devoll dhe në prill të 2021 do të fitonte mandatin e deputetit për Partinë Demokratike në qarkun e Korçës. Një nga lidhjet e hetimit është edhe fakti se kompania “SUN BEAT SYSTEM”, e cila është themeluar në 2019 nga Ilir Shtufi, është edhe zotëruesja e parqeve fotovoltaike në Bilisht.
Në 21 korrik të vitit të kaluar, kompania “SUN BEAT SYSTEM” është licencuar nga Enti Rregullator i Energjisë në prodhimin e energjisë elektrike nga centrali fotovoltaik në Bilisht të Korçës, me kapacitet 2 MW për 25 vite. “Barrikada.net” i bëri kërkesë për koment ERE-s nëse kishte konflikte interesi në këtë rast, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk kemi marrë përgjigje nga instuticioni.
“Barrikada.net” ka zgjeruar kërkimet tek ekstrakti i kompanisë duke zbuluar se Ilir Shtufi ka përfituar tendera nga Rindërtimi nga Bashkia Tiranë, Bashkia Kamëz dhe tender për Unazën e Madhe nga Autoriteti Rrugor Shqiptar gjatë kohës që ka qenë ortak me babain e deputetit të PD Bledjon Nallbati.
Ku lidhet rindërtimi, inceneratorët dhe Ahmetaj?
Në dokumentat e siguruara nga “Barrikada.net”, bëhet e ditur se SPAK po heton lidhjet që kanë përfitimet nga këto firma gjatë periudhës që ministër i Rindërtimit ka qenë ish zv.kryeministri Ahmetaj.
Personi që rezulton pika lidhëse ka qenë biznesmeni Gerian Kuka. Sipas dosjes hetimore nga SPAK, ky i fundit rezulton nën hetim tek dosja e inceneratorëve për shkak të transaksioneve financiare për mbulimin e pasurive të Arben Ahmetaj dhe për transaksionet me kompaninë e inceneratorit të Fierit, në pronësi të Klodian Zotos, person në kërkim ndërkombëtar.
Nga burime hetimore, të bazuara edhe nga ajo që është denoncuar nga PD, mësohet se nga korriku 2020 deri në 20 korrik 2023, kompanitë “Nova Construction – 2012” në pronësi të vëllezërve Shtufi dhe “Ferro Beton & Construction CO”, në pronësi të Ilir Shtufit dhe Mark Lulit së bashku ose me kompani të tjera, të zotëruara nga persona që janë me rekorde kriminale, kanë përfituar minimalisht 10,8 miliardë lekë ose rreth 104 milionë euro nga buxheti i shtetit përmes të paktën 20 procedurave të prokurimit publik. Kështu, 13 tendera janë fituar nga një prej dy kompanive në pronësi të Ilir Shtufit, gjashtë prej të cilave janë fituar me një rezultat prej 100% e fondit limit, 4 tendera me rezultat nga 95% deri në 99% të fondit limit dhe vetëm 3 prej procedurave janë mbyllur me një rezultat nga 75% deri në 82% të fondit limit. Gjithashtu në padi theksohet se tre prej tenderave të Rindërtimit janë fituar si bashkim kompani mes njërës prej dy shoqërive në zotërim të Ilir Shtufit me kompaninë “Alesio – 2014” shpk, në pronësi të Anton Gjinaj alias Pashk Rrapi, të dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata Provinciale e Alicante-s.
“Barrikada.net” ka zbardhur disa nga tenderat e dhënë për Rindërtimin gjatë kohës që Ilir Shtufi ka qenë në ortakëri me Tomor Nallbatin, familjar i deputetit Bledjon Nallbati. Këto tendera janë organizuar nga Bashkia Kamëz dhe Bashkia Tiranë me financim nga Rindërtimi.
“Barrikada.net” kontaktoi Bashkinë Tiranë për të marrë koment për tenderat e Rindërtimit, lejet e ndërtimit dhe faktin se në padi, Partia Demokratike pretendon se është shkelur Plani i Përgjithshëm Vendor. Por deri në publikimin e këtij shkrimi, Bashkia Tiranë nuk dha asnjë koment.
“Barrikada.net” kontaktoi Bashkinë Kamëz për të marrë koment për tenderin e RIndërtimit, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk kemi marrë asnjë përgjigje.
Megjithatë një tender tjetër po në këtë periudhë që ka fituar “NOVA Construction 2012” bashkë me kompani të tjera në 7 tetor 2021 lidhet me Autoritetin Rrugor Shqiptar me vlerë rreth 22 milionë euro.
Interesimit të “Barrikada.net” nëse kemi konflikt interesi në këtë rast, ngeli pa përgjigje nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Nga hetimet që kanë nisur edhe pas padisë së PD-së, vihet theksi tek ekstrakti i kompanisë “Ferro Beton & Construction CO”, në pronësi të Ilir Shtufit dhe Mark Lulit. Sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, kjo kompani është themeluar në 2004 nga Ilir Shtufi, Adrian Doçi dhe deputeti aktual i Partisë Socialiste Arben Pëllumbi. Në 2008, Z. Pëllumbi ka shitur të gjitha aksionet e veta tek Ilir Shtufi.
Në padi shkruhet se brenda 3 muajve kompania “Ferro Beton & Construction” ka përfituar si bashkim kompanish 7 projekte rindërtimi me vlerë totale 3,3 miliardë lekë ose rreth 33 milionë euro. Hetimi po përfshin edhe lidhjen e tyre me Gerian Kukën, për blerjen e vilës së Ahmetajt në Hamallaj.
Leja e ndërtimit ngre dyshime për Malin e Tiranës
Ndërkaq, nga hetimet mësohet se, padia e Partisë Demokratike e ka zanafillën me lejen e ndërtimit të kullës më të lartë në Shqipëri, “Mali i Tiranës”, e cila paraqet pikëpyetje për bilancet nga raportet e auditimit. Të dy ekspertët e pavarur që kanë analizuar në 3 vite të ndryshme të dhënat për “NOVA Construction 2012” zbulojnë se kompania ka patur probleme me transparencën me transaksionet e kompanive të lidhura me atë vet.
Sipas hetimeve, PD ka ngritur dyshimet për mënyrën se si kjo kompani ka paguar taksën e ndërtimit, e cila kap vlerën prej 4 milionë eurosh. Në padi shkruhet se nga informacione të pakonfirmuara ka dyshime se pagesa e taksës të ndikimit në infrastrukturë është bërë nga palë të treta jashtë kompanisë, duke i kërkuar SPAK-ut të hetojë në lidhje me këtë cështje.
“Duhet të theksojmë se ky ishte parku i vetëm i mbetur në zonën e qendrës së Tiranës, i cili kishte mbetur si hapësirë rekreative dhe kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë Erjon Veliaj në shpërdorim të detyrës së tyre dhe dëm të interesit publik kanë shkelur vetë akte të miratuara nga po këta individë të cilat do i analizojmë shkurtimisht në vijim”, shkruhet në paragrafin 5 të padisë nga PD.
Në relacion shkruhet se është shkelur Plani i Përgjithshëm Vendor, i cili e ka përcaktuar zonën ku do ndërtohet “Mali i Tiranës” si zonë rekreative.
Por PD nuk ndalet vetëm tek leja e “Malit të Tiranës” pasi thekson për Prokurorinë e Posaçme se është e domosdoshme të analizohen dhe 5 lejet e tjera shumëkatëshe që ka marrë kjo kompani gjatë 5 viteve të fundit brenda Bashkisë Tiranë.
Gjatë kohës që Nallbati është deputet dhe babai i tij ortak me Ilir Shtufin, ky i fundit ka përfituar dy leje ndërtimi nga KKRT-ja. Leja numër 1 është miratuar në 27 korrik 2022 për ndërtimin e godinës për hoteleri për kompanitë “NOVA Construction 2012” dhe “LTD CO”, të dyja me aksioner Ilir Shtufin.
Ndërkohë leja e dytë është dhënë për “NOVA Construction 2012” për “Malin e Tiranës”, e cila bashkë me të parën janë miratuar nga kryeministri Edi Rama.
Eksperti i ekonomisë, Neritan Sejamini, deklaron se studimi i ndikimit në mjedis dhe konsultimi publik me komunitetin ku ndërtohet janë kërkesa ligjore për të marrë leje ndërtimi.
“Ata që janë kundër kullës pas Operas duhet t’i kërkojnë qeverisë dhe bashkisë proces-verbalin dhe rekomandimet e konsultimit publik. Ka gjasa që konsultimi nuk është bërë ose është bërë fallco—ligji kërkon që konsultimi të shpallet publikisht dhe vendi e koha të njoftohen nga bashkia përkatëse në media disa ditë rresht. Nëse drejtësia funksionon, kaq do mjaftonte për të anulluar lejen e ndërtimit”, shkruan eksperti Sejamini në platformën e tij sociale në Facebook.
“Barrikada.net” kontaktoi Agjencinë e Zhvillimit të Territorit për të kuptuar nëse kemi konflikt interesi për lejet e kullave gjatë kohës që Ilir Shtufi është bërë ortak me Tomor Nallbatin, por AZHT-ja nuk ka bërë asnjë koment deri në publikimin e këtij shkrimi.
* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Barrikada.net” sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Barrikada.net” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.*