Nga Armand Kullau
“Ka vështirësitë e veta në sigurimin e barit (Bortezimob). Dje e kemi lidhur kontratën (19 korrik 2023) mesa mbaj mend, kështu që shumë shpejt shkon furnizimi”, tha administratorja e kompanisë “T R I M E D” shpk, Gentiana Peshkatari në linjë telefonike për “Barrikada.net”.
Administratorja e kompanisë deklaroi se javën e kaluar ka patur kërkesë nga Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza (QSUNT) për barnën mjekësore, duke konfirmuar zyrtarisht mungesën e ilaçit në Qendrën Spitalore, e cila prej vitit 2021 ka si drejtore Albana Ficon.
Por i pari që i ra këmbanës së alarmit, ishte eksperti i shëndetit publik, Dr. Erion Dasho, i cili në 11 korrik denoncoi mungesën e preparatit Bortezimob, që është jetik për pacientët me sëmundje tumorale.
“Mungon në QSUT preparati Velcade (Bortezomib) i cili përdoret për trajtimin e shumë tumoreve, përfshi mielomën multiple. 600 euro i kushton një flakon qytetarit, ose 3,600 euro për cikël”, shkruan Dr. Dasho në platformën sociale.
“Barrikada.net” analizoi mijëra faqe nga buletinet e Agjencisë së Prokurimit Publik (APP) për të zbuluar se kur ishte hera e fundit që Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe QSUNT kishin organizuar tendera për të siguruar barnën mjekësore.
Nga kërkimet zbuluam se historia e ilaçit që kushton 600 euro, e ka zanafilën në 27 Qershor të vitit të kaluar kur brenda 24 orëve Ministria e Shëndetësisë, nën drejtimin e Ogerta Manastirliut shpalli fituesit për Marrëveshje Kuadër me vlerë 41 milionë euro. Këto marrëveshje kanë hyrë në histori sepse mbi 50 procedura u fituan pa garë nga kompanitë farmaceutike dhe minimalisht 10 të tjera patën garë fiktive sepse kompanitë futeshin në tender, por nuk bënin ofertë për të fituar fondin.
Po në këtë datë, konsorciumi i kompanive “MEGAPHARMA” shpk, “DELTA PHARMA-AL” shpk dhe “T R I M E D” shpk do të ishin pjesë e garës për lotin 3, (Bortezimob) me fond limit 105 milionë lekë pa TVSH ose 1 milion euro. Në tender merrte pjesë vetëm ky bashkim kompanish, të cilat u shpallën automatikisht fituese me ofertë 105 milionë lekë, sa 99,9% e fondit limit për Marrëveshjen Kuadër.
Marrëveshja kuadër është një marrëveshje e shkruar midis dy ose më shumë palëve nëpërmjet prokurimit publik mbi bazën e së cilës, në mënyrë të përsëritur, realizohen kërkesat për mallra dhe shërbime në një periudhë të caktuar.
Nga dokumentat publike zbuluam se lidhja e kontratës midis kompanive dhe Ministrisë së Shëndetësisë nuk është publikuar në buletinin e APP-së. Por vendimet e miratuara nga Këshilli i Ministrave kërkojnë publikimin e njoftimit për lidhjen e kontratës në APP brenda muajit janar të vitit pasardhës.
“Në rastin e marrëveshjeve kuadër, të realizuara nga një autoritet kontraktor (Ministria e Shëndetësisë në rastin konkret) në cilësinë e organit qendror blerës, njoftimi i kontratave të lidhura gjatë një viti kalendarik do të dërgohet për publikim në Buletinin e Njoftimeve Publike, në Agjencinë e Prokurimit Publik nga autoriteti kontraktor, në cilësinë e organit qendror blerës. Ky njoftim do të dërgohet në formë të shkruar dhe elektronike (CD), jo më vonë se data 10 janar e vitit në vijim”, shkruhet në vendimin nr. 914, datë 29.12.2014 për rregullat e prokurimit publik.
Në rastin konkret, Marrëveshja Kuadër aktivizohet nëse lidhet minikontrata e parë, që është një furnizim 3 ose 4-mujore në bazë të kërkesave të QSUNT.
“Për Marrëveshjet Kuadër bëhen minikontratat që janë çdo 4 muaj sepse ka një lloj planifikimi sipas kërkesave të QSUNT-së. Sa herë që ne duhet të lëvrojmë një sasi të caktuar për produktin (Bortezimob), kompania duhet të lidhi një kontratë të re me institucionin”, thotë Gentiana Peshkatari, duke konfirmuar se ka patur lidhje kontratash për barnën mjekësore.
Sipas administratores së “T R I M E D” shpk, e vetmja gjë që publikohet në APP është vetëm Marrëveshja Kuadër 24-mujore dhe minikontratat lidhen vetëm me QSUT.
Për të zbuluar më shumë rreth arsyeve për mungesën e këtij njoftimi në APP, “Barrikada.net” kontaktoi zyrën e kompanisë “Delta Pharma-Al”.
“Janë lidhur kontratat dhe publikimi i tenderit është për Marrëveshjen Kuadër. Kjo marrëveshje lidhet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe më pas me spitalet respektive që kanë nevojë. Bortezomib është vetëm për QSUT”, tha në linjë telefonike për “Barrikada.net” përfaqësuesja e kompanisë “Delta Pharma Al”, e cila preferoi të mos zbulonte identitetin.
Përfaqësuesja e “Delta Pharma Al” deklaroi se kontratat për këtë barnë me QSUNT janë lidhur në vazhdimësi, duke qënë në një vijë me kompaninë “T R I M E D” shpk.
Ndryshe nga administratorja e “T R I M E D” shpk, përfaqësuesja e “DELTA PHARMA-AL” deklaroi se kontrata ishte lidhur në 20 korrik.
“Barrikada.net” u përpoq të kontaktonte edhe administratorin e kompanisë “MEGAPHARMA” shpk, Rasim Hamzaraj, por deri në publikimin e këtij shkrimi ishte i paarritshëm.
Mungesa e ilaçit ngre pikëpyetje për punën e QSUNT-së, si dhe vendos në qendër të vemendjes mënyrën se si vepron Ministria e Shëndetësisë kur nuk është publikuar lidhja e kontratës publike. Nga ana tjetër kompanitë farmaceutike deklarojnë se kanë sjellë vazhdimisht barnën mjekësore duke firmosur minikontrata.
Ne kontaktuam Ministrinë e Shëndetësisë për arsyet e mungesës së ilaçit “Bortezomib” dhe pse nuk është publikuar lidhja e Marrëveshjes Kuadër në APP, por deri në publikimin e këtij shkrimi Ministria nuk dha asnjë koment për “Barrikada.net”.
Interesimit tonë për arsyet e mungesës së ilaçit në QSUNT, shkaqet pse nuk është publikuar lidhja e kontratave apo minikontratave, institucioni që drejtohet nga Albana Fico nuk dha asnjë koment si Ministria e Shëndetësisë.
Mungesa e ilaçeve për kancerin nuk është lajm i ri në QSUNT, madje para disa javësh burime të rezervuara për “Barrikada.net” pohuan se mungonte barna mjekësore “Vincristine” për fëmijët me tumor, e cila tregtohej në treg të zi me 10-fishin e vlerës reale.
* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Barrikada.net” sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Barrikada.net” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.*