Historia e ish-kënetës së Durrësit është mbi një mijë-vjeçare dhe është krijuar pas një cunami që ka goditur qytetin antik.
Banorët e saj të hershëm janë përpjekur vazhdimisht për ta tharë, por u desh puna vullnetare nën regjimin diktatorial për të rregulluar kënetën. Vet diktatori Enver Hoxha do të shprehte rezerva për punën me ish-kënetën pasi procesi po merrte shumë kohë për shkripëzimin e tokave. Megjithatë mallkimi i ish-kënetës nuk u largua sepse Parku Fotovoltaik i Spitallës ka krijuar dyshime për natyrën e kontratës.
Në 19 nëntor 2020, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku hapi garën për Parkun Fotovoltaik të Spitallës, në zonën e ish-kënetës.
Gara për Spitallën ishte e dyta pas Parkut Fotovoltaik të Karavastasë që shtrihet në Lushnje dhe Fier, e cila u fitua nga gjigandi francez “Voltalia S.a”.
Në 25 mars 2021 për të dytën herë radhazi, “Voltalia” shpallet fitues për Spitallën me ofertën 29 Euro/MW në garë me kompaninë kineze “Universal Energy Co. Ltd” me ofertë 46 Euro/MW nga zv.kryeministrja aktuale Belinda Balluku.
Pronarë të panjohur në Offshore
Në të njëjtën ditë që u shpall fituese, kompania “Voltalia” hapi degën e saj në Shqipëri “Spitalla Solar” nëpërmjet kompanisë hollandeze “Voltalia Management International B.V”, e cila vepron në juridiksion Offshore.
Kompania “Spitalla Solar” ka dy administratorë të huaj, Bertrand Pierre Francis Tournier dhe Gustavo Manuel Ferreira Fernandes. Administratorët e Spitallës janë njëkohësisht administratorët e “Karavasta Solar” që ka fituar koncesionin e Parkut Fotovoltaik të Karavastasë për 30 vite. Të dyja kompanitë, janë kompani derivate nga “Voltalia Management International B.V”, e cila ka pikëpyetje për pronarët fundorë sepse Hollanda ruan anonimatin.
Në vitin 2020, Parlamenti shqiptar miratoi ligjin për Regjistrin e Pronarëve Përfitues për të zbuluar aksionerët, por përsëri ligji la shtigje për të fshehur aksionerët e vegjël. Sipas këtij ligji, vetëm pronarët që kanë 25% të aksioneve dhe kapital më shumë kanë detyrimin për t’u deklaruar. Në rast se një person i dënuar ose i përfshirë në politikë dhe qeveri rezulton aksioner në një shoqëri që ka fituar kontrata publike, ai nuk mund të zbulohet nëse ka më pak se 25% të aksioneve mbi kompaninë.
Zona e Parkut Fotovoltaik me fuqi 100 MW është projektuar të zhvillohet paralelisht me një sërë aktivitetesh të tjera duke përfshirë Portin e ri të Durrësit dhe zonën e Rindërtimit.
Porti i ri dhe Rindërtimi do të ndryshojnë tregun e pasurive të paluajtshme ndërkohë që vetëm në këtë zonë kompania franceze bashkë me hollandezët misterioz ka marrë 121 hektarë tokë nga qeveria shqiptare për 30 vite.
Mungesa e transparencës
Në ankandin e shpalljes së fituesit, zv.kryeministrja Belinda Balluku e konsideroi sukses ankandin për Spitallën.
“Ashtu edhe sikurse parashikuam, suksesi i Karavastasë arriti të përthithë një numër të madh investitorësh edhe në garën për projektin e parkut të Spitallës”, do të deklaronte Balluku para hapjes së zarfit me emrin e fituesit.
Por nga 5 kompani që morën pjesë në tenderin e Spitallës, 3 u skualifikuan duke ngelur vetëm dy kompani në garë. Në njoftimin e siguruar nga Ministria nuk jepen shkaqet e skualifikimit të këtyre kompanive.
Në rastin e Karavastasë nga 5 kompani, 4 u skualifikuan duke u shpallur fituese “Voltalia” me ofertën 24,89 Euro/MW, e cila ishte jashtëzakonisht e leverdisshme për shtetin shqiptar.
Në rastin e Spitallës kemi hasur probleme me transparencën nga Ministria e Infrastrukturës, e cila nuk pranon të japë informacione rreth marrëveshjes. Ne i kërkuan informacione rreth koncesionit, por institucioni solli disa arsye duke refuzuar të japë materiale për rastin në fjalë. Ministria deklaron se “Marrëveshja për zhvillimin e projektit” ndërmjet dy palëve e pengon të japi informacione deri në momentin e përfundimit të kontratës ose një vit pasi është ndërprerë kontrata.
Në rastin konkret, institucioni që drejtohet nga zv.kryeministrja Balluku këmbëngul se ligji për të Drejtën e Informimit i jep të drejtë për kufizimin e informacionit. Ne i shpjeguam se është marrëveshje për koncesion dhe si e tillë i nënshtrohet transparencës dhe ligjit për të Drejtën e Informimit duke i bashkangjitur dhe deklaratën e Voltalia. Përsëri Ministria refuzoi duke deklaruar se projekti i Spitallës nuk është kontratë koncesionare pa dhënë shpjegime për deklaratën për shtyp të “Voltalia”. Edhe në shpalljen zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës për hapjen e garës nuk përmendet termi “koncesion” apo “kontratë koncesionare”.
Megjithatë sipas deklaratës për shtyp nga “Voltalia”, në rastin e Spitallës kemi një kontratë koncesionare, e njëjtë me Karavastanë që është fituar përsëri nga e njëjta kompani.
“Ky projekt 100 MW i quajtur Spitalla, u fitua pas një tenderi të shpallur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nëntorin e kaluar (nëntor 2020). Voltalias i është dhënë një kontratë koncesioni 30-vjeçare në një sipërfaqe prej 121 hektarësh në qarkun e Durrësit, në bregdetin e Adriatikut, rreth 30 kilometra nga Tirana, kryeqyteti i vendit. Projekti do të përfitojë nga potenciali shumë i madh i rrezatimit diellor të rajonit”, pjesë nga deklarata për shtyp e kompanisë “Voltalia” në faqen e saj zyrtare.
Për të kuptuar diferencën midis një koncesioni dhe një projekti, ne kontaktuam eksperten e ekonomisë Teuta Nunaj Kortoçi. Ekspertja deklaroi se në Shqipëri në marrëveshjet koncensionare gjejmë edhe kontrata koncensionare me mbështetje buxhetore.
“Mendoj se avantazhet dhe disavantazhet financiare mes koncensioneve dhe kapacitetit të ri prodhues që nuk është objekt koncensioni lidhet drejtpërdrejt me rregullin që është vendosur në kontratë për përcaktimin e riskut financiar”, deklaroi Dr. Nunaj për diferencën midis koncesionit dhe projektit në fjalë.
Pra, nëse i referohemi deklaratës së “Voltalia”, buxheti i shtetit mbart riskun financiar duke ekspozuar financat publike pa dijeninë e qytetarëvë në rastin e kontratës koncesionare.
Lajmi për kontratën koncesionare është publikuar në portalet ndërkombëtare të energjisë si “Uk Finance Yahoo”, “CEENERGYNEWS”, “GlobeNewswire” dhe gjendet në Dokumentin e Regjistrimit Universal për 2021 te “Voltalia”.
Ky dokument është përpiluar nga AMF- ja franceze (Autoriteti i Tregjeve Financiare) ku shkruhet se projekti i Spitallës është një kontratë koncesionare 30-vjeçare. Ne kontaktuam zyrat qendrore të “Voltalia” në Francë dhe komunikuam me specialisten e komunikimit për Europën dhe Afrikën, Samya Felk.
Ne i kërkuam informacione se kur do të mbarojë ndërtimi i projektit dhe a ka patur kompania probleme me zbatimin e projektit. Specialistja Felk deklaroi se për shkak të fluksit do marrim përgjigje brenda javës, por deri në publikimin e këtij shkrimi akoma nuk kemi marrë përgjigje.
Para disa javësh ka patur lëvizje të pronësisë të kompanive që kontrollojnë aksionet e “Spitalla Solar” dhe “Karavasta Solar” ku janë shtuar si pronarë kompanitë “Alterbiz”, “Voltalia Investissement SAS”, të lidhura me gjigandin francez “Voltalia” si dhe “Voltalia Management International B.V”.
* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Barrikada.net” sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Barrikada.net” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.